Ofertë e re e Barçës për Nejmar, por Tiago Silva “kopjon” Pike: Do qëndrojë këtu

Barcelona nuk heq dorë nga Nejmar. Disfata në Bilbao ka lënë të kuptohet se pa Lionel Mesin në rreshtim duhet një plan B për ndeshjet e komplikuara dhe braziliani ka treguar në të kaluarën se mund ta bëjë një gjë të tillë. Sigurisht për ta shkëputur nga PSG duhet një sforco e madhe ekonomike, por katalanasit kanë rreth dy javë kohë për të siguruar atë që i nevojitet

Gjatë ditës së djeshme ka pasur një mbledhje në ambientet e klubit mes drejtuesve kryesore ku është diskutuar strategjia me të cilën ata do të synojnë të afrojnë brazilianin. Me largimin e Kutinjos që ishte “mall shkëmbimi” për të ulur koston, tashmë mbeten pak alternativa dhe në marrëveshje të vetmit që mund të përfshihen janë Semedo, Dembele dhe Rakiticc, edhe pse lojtarët nuk janë shumë “tifozë” të idesë që të largohen drejt Parisit. Gjatë javës do të ketë një tjetër takim në Paris me PSG-në për të bërë ofertën e re ekonomike.

Megjithatë, ka ende futbollistë të PSG të cilët mendojnë se Nejmar nuk do të largohet. “Sipas meje Nejmar do të qëndrojë te PSG. Ai është një lojtar i cili është shumë i nevojshëm për ne, me të jemi shumë më të fortë”, tha mbrojtësi brazilian për bashkëkombësin e tij, një tentativë e ngjashme me atë të Pike dy vite më parë kur Nejmar u largua nga Barcelona drejt Francës. /vipsport.al/