Nuk ka rikthim për Dermakun, trajneri i Parmës i beson: Meriton të qëndrojë dhe të luajë shansin e tij

Kastriot Dermaku ka debutuar mbrëmjen e djeshme me fanellën e Parmës në ndeshje zyrtare, duke u aktivizuar për disa minuta në Kupën e Italisë. Mbrojtësi kuqezi, po kërkohet me ngulm nga Salernitana në Serinë B dhe mediat italiane raportonin se ky operacion mund të realizohet shpejt.

Megjithatë, gjithçka ka ndryshuar dhe vetë trajneri i Parmës i ka dhënë besim mbrojtësit kuqezi. Roberto D’Aversa u shpreh se Dermaku meriton të qëndrojë në skuadër dhe të provojë shansin e tij në Serinë A duke i dhënë një sinjal të qartë se nuk ka në plan ta largojë.

“Na mungon ende diçka sidomos në mbrojtje. Puna gjatë javës është shumë e rëndësishme pavarësisht se sa futbollistë ke në dispozicion dhe kjo është parë sezonin e kaluar dhe do të bëhet këtë vit. Po ju marr edhe një shembull: Dermaku mund të largohej për më shumë minuta, por e meriton të qëndrojë dhe të provojë shansin e tij në Serinë A”, u shpreh trajneri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/