Një tjetër futbollist lë Superioren për Kosovën, Jonuzi del në stërvitje me skuadrën e re

Fjoart Jonuzi është përforcimi i radhës i Gjilanit të drejtuar nga Gentian Mezani, i cili po bën një formacion thuajse të gjithin me lojtarë që kanë luajtur në Superiore në edicionet e kaluara. Mesfushori i cili ka qenë pjesë e Kukësit Laçit, sot ka nënshkruar marrëveshjen me klubin e Superligës së Kosovës dhe ka dalë në stërvitje më  këtë skuadër.

Lojtari ishte larguar pak javë më parë nga Lacci, duke bërë të ditur se nuk do të vazhdonte bashkëpunimin me klubin ku nën drejtimin e Sulejman Starovës kishte humbur edhe postin e titullarit. Për Jonuzin ka nisur kësisoj një etapë e re e karrierës në Kosovë, ku ka firmosur vetëm për një sezon.

NJOFTIMI I KLUBIT

ZYRTARE: Fjoart Jonuzi futbollist i Gjilanit

SC Gjilani sot ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me futbollistin kuksian, Fjoart Jonuzi, i cili do të jetë pjesë e Gjilanit për edicionin e ri garues 2019/2020.

Jonuzi i lindur në vitin 1996 në Kukës, në skuadrën e Gjilanit vjen nga ajo e Laçit, ku ishte paraqitur dy edicionet e fundit tek skuadra kurbinase.

Mesfushori më i ri i Gjilanit karrierën futbollistike e kishte filluar me skuadrën verilindore të Shqipërisë, KF Kukësi.

Ai për skuadrën nga vendlindja e tij, ishte paraqitur nga viti 2013 deri në vitin 2017, nga ku u transferua në skuadrën e Laçit, ku kishte milituar në dy sezonet e fundit.

Ai gjatë karrierës së tij ka realizuar 98 paraqitje në “Superiore”, duke shënuar 4 gola dhe duke asistuar 3 herë për bashkëfutbollistët e tij. Në Kupën e Shqipërisë, Jonuzi, kishte bërë 22 paraqitje duke realizuar 4 gola të tjerë dhe një asist tjetër.

Futbollisti më i ri i Gjilanit, paraqitje kishte bërë edhe në kupat e Europës me Laçin. Jonuzi gjithashtu paraqitje ka edhe me grupmoshat e reja të Shqipërisë, ku veçohen ajo U-21 dhe ajo U-19.