Një talent si rrallëkush, Sanço thyen rekordet e futbollit gjerman për golat

Rivaliteti mes Anglisë dhe Gjermanisë në futboll është nj prej më të vjetërve në Europë, i ndezur më shumë pas atij Botërori të vitit 1966. Ndaj duket shumë e çuditshme dhe njëkohësisht domethënëse që një djalosh anglez është ai që ka vendosur rekordin e ri sa i përket shënimit të golave në kampionatin gjerman të futbollit.

Xhadon Sanço, futbollisti i Borusia Dortmund, në ndeshjen e fundit ndaj Këln ka thyer një rekord që zgjaste 52 vite, thuajse që nga koha e finales së famshme të Botërorit të 1966. Në moshën 19 vjeç e 151 ditë, ai ka arritur të shënojë golin e tij të 15 në Bundesligë, duke thyer me 34 ditë rekordin e mëparshëm që mbahej nga Horst Kopel i cili shkëlqente me fanellën e Shtutgartit në vitin 1967.

Djaloshi i mrekullive i futbollit anglez ka nisur vitin me ritme mbresëlënëse, pasi ka shënuar 3 gola në 4 ndeshjet e para të këtij edicioni, duke filluar nga Superkupa e fituar ndaj Bajernit. Një hap më shumë për djaloshin i cili në vitin e tij të parë në Gjermani dukej se do të ishte njeriu-asist, pasi dhuronte shumë të tillë.

Mançester Siti që investoi 560 mijë euro për të në vitin 2015, e la të largohej për 8 milionë euro në vitin 2017, duke menduar se kishte nxjerrë fitim kolosal nga ai. Sot, Sanço vlen rreth 100 milionë euro sipas ekspertëve të merkatos dhe me shifra e rekorde të tilla, kjo vlerë mund të rritet shumë shpejt. Ndaj nuk është rastësi që Borusia Dortmund i ka rinovuar kontratën deri në vitin 2022, duke i përmirësuar rrogën në 6 milionë euro në sezon. /vipsport.al/