Një shqiptar nga Grasshopers te Empoli, nesër firma me “bekimin” e Shaqirit

Një tjetër shqiptar bëhet pjesë e futbollit italian. Nedim Bajrami, mesfushori i talentuar 20-vjeçar, do të nënshkruajë nesër për Empolin në Serinë B, duke u bërë pjesë e tij për këtë sezon.

Lojtari i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën në arenën ndërkombëtare pavarësisht ftesave nga Shqipëria, menaxhohet nga kompania e Xherdan Shaqirit, e cila drejtohet aktualisht nga vëllai i tij, Erdin. Ky i fundit ka mbledhur shumë talente shqiptare të cilët kanë bërë emër në Zvicër, sigurisht duke përfituar nga fama dhe lidhjet e futbollistit.

Edhe pse vlera e 20-vjeçarit llogaritet disa miliona euro, në Itali kanë mësuar se transferimi i tij do të jetë shumë më modest. Kështu, Empoli ka siguruar huazimin e lojtarit duke e paguar Grasshopers me një shumë prej 300 mijë eurosh në këtë edicion, ndërsa ka të drejtën e blerjes së kartonit të tij në mbyllje të sezonit.

Edhe ajo shumë nuk është e lartë për mesfushorin ofensiv, përkundrazi. Bëhet fjalë vetëm për  500 mijë euro që është një shifër e përballueshme për një skuadër e cila pretendon të ngjitet në Serinë A. /vipsport.al/