Një lamtumirë me shumë humor, edhe drejtori Nora e mbyll te Luftëtari

Një nga personazhet që ka qëndruar shpeshherë në hije, por që ka meritë të madhe në ndërtimin e Luftëtarit të viteve të fundit që bëri bujë në futbollin shqiptar, është edhe Gentian Nora, drejtori sportiv i klubit gjirokastrit. Ai ka qenë një nga emrat kryesorë që ka qëndruar gjithmonë më pranë skuadrës dhe ka negociuar e afruar disa prej lojtarëve të cilët u bënë ndër emrat më të njohur për futbollin shqiptar.

Por me ndryshimet e mëdha të drejtuesve në klub, edhe Nora i ka dhënë lamtumirën detyrës së tij te Luftëtari, pasi tashmë atë rol do ta mbulojë Klodian Duro. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, me shumë humor si gjithmonë, Nora ka dhënë edhe mesazhin e tij të lamtumirës.

“Sa më të vështira ishin fitoret dhe objektivat, aq më shumë lumturi na ka dhënë arritja e tyre. Në këto pesë vite jetova dhe realizova një ëndërr… (sqarim ëndrra në këtë rast nuk është imja personale se unë ëndërr për vete nuk kisha të bëhem drejtor i suksesshëm që faktikisht u bëra, kisha të bëhem deputet ose ministër)… ëndrrën e gjithë shqiponjave bluzi dhe kur them shqiponjat kuptoj atë grupin e parë, të gjithë pa përjashtim. Sot 60% nuk jetojnë më fare as në Gjirokastër por dua t’u them që çdo moment që kam luftuar e sakrifikuar e kam bërë për ju dhe nuk harroj asnjë moment që nga dita që krijuam grupin, ato fillimet qesharake, e deri më sot.

E shkrova gjithë këtë për ju kudo që jeni sepse gjithë energjia ime ka ardhur nga pasioni juaj, nga ajo ëndërr e përbashkët prandaj FALEMINDERIT SHQIPONJAT BLUZI!! (Këta stafe, trajnerë, drejtues, lojtarë e më the të thashë nuk i falënderoj këtu se i kam falënderuar të gjithë kur i kam përcjellë që i kemi hequr).

Faleminderit dhe punëtorët që janë më të mirët në llojin e tyre, Miri, Safeti, Tiku, Sokoli dhe Muçi. E mbylla dhe unë përfundimisht”, shkruante Nora në lamtumirën e tij nga Luftëtari. /vipsport.al/