Një familje e krijuar vetëm për futboll, djali i “Cholo” Simeones firmos në Spanjë

Pas një aventure të suksesshme si futbollist, Diego Simeone është aktualisht një nga trajnerët më të suksesshëm i cili me Atletiko Madridin po rivalizon jo pak për titullin kampion dhe Ligën e Kampionëve. Sakaq, djali i tij i madh, Xhovani Simeone po shkëlqen në kampionatin italian.

Ai aktivizohet me skuadrën e Fiorentinës dhe është një nga më të dalluarit, duke rënë shpesh herë në radarët e skuadrave më të forta në Itali. Sakaq, një tjetër futbollist ka dalë nga familja Simeone dhe tashmë bëhet fjalë për Xhanluka Simeonen.

Sulmuesi 21-vjeçar që ishte pjesë e Gimnasias, ndërkohë që ka luajtur edhe për River Plejtin ka firmosur së fundmi në kampionatin spanjoll dhe do të luajë me Ibizan. Sulmuesi që gëzon dy pasaporta, si atë spanjolle po ashtu edhe argjentinase, synon që të ketë sa më shumë minuta në Ibiza dhe të ketë mundësi për t’u transferuar në një tjetër skuadër edhe më të madhe. /Erjon Allaraj-VipSport.al/