Një drekë për harmoninë, Partizani lë pas telashet para Superkupës

Lojtarë të pakënaqur që duan të luajnë, përplasje brenda stafit apo futbollistë me valixhet gati. Kështu është përshkruar shpesh situata të Partizani gjatë muajit të fundit. Por pak ditë para fillimit të sezonit të ri, ku do të luajnë Superkupën ndaj Kukësit, të kuqtë kanë zgjedhur mënyrën më të mirë për të treguar se ky përshkrim nuk u përket atyre.

Klubi ka organizuar një drekë të përbashkët pas stërvitjes së sotme, me futbollistët dhe pjesëtarët e stafit të cilët kanë drekuar bashkë jashtë hoteleve të zakonshme ku kanë qenë të grumbulluar apo ku kanë konsumuar drekën. Diçka ndryshe nga monotonia e zakonshme, por edhe një sinjal i rëndësishëm mbi atmosferën në ekip.

Vetë klubi e ka cilësuar në postimin në rrjete sociale atmosferën si pozitive, ndërsa ka shfaqur edhe një foto të futbollistëve poshtë “Aleancës së Kombit”, statujës gjigante të Skënderbeut që gjendet në Elbasan ku të kuqtë me “aleancën” e drekës së sotme do të kërkojnë të fitojnë trofeun e parë të dielën, Superkupën e Shqipërisë. /vipsport.al/