Një dëmtim i humbte sfidën në tavolinë, Bare fitoi ndeshjen më të çuditshme të historisë

Malaga e Keidi Bares e ka nisur mjaft mirë këtë sezon në La Liga 2, duke fituar sfidën e hapjes në kampionat ndaj Racing Santander me shifrat 1-0. Kjo ishte një ndër ndeshjet më të çuditshme të historisë së futbollit spanjoll pasi një dëmtim apo një karton i kuq mund t’i shkaktonin Malagas ndërprerjen e ndeshjes dhe humbjen në tavolinë.

Klubi është në një situatë të vështirë ekonomike, me lojtarë që presin të shiten dhe nuk mund të aktivizohen, apo të tejrë që nuk mund të nënshkruajnë pa u larguar profesionistët e mëparshëm. Kësisoj, në ndeshjen e kësaj fundjavë, Malaga zbriti në fushë me minimumin e detyrueshëm që përcakton rregullorja të lojtarëve profesionistë, 7 të tillë, ndërsa 4 të tjerët ishin futbollistë që vinin nga ekipi i dytë e akademia, mes tyre edhe Keidi Bare.

Situata nuk ndryshoi gjatë gjithë ndeshjes, që do të thotë se nëse te Malaga një nga profesionistët do të ndëshkohej me karton të kuq, apo do të dëmtohej dhe të zëvendësohej me një nga lojtarët e ekipit të dytë që gjendeshin në stol, gjyqtari do të ishte i detyruar të ndërpriste ndeshjen dhe t’i jepte fitoren në tavolinë ekipit kundërshtar.

Ndaj edhe lojtarët e Malagas janë udhëzuar në minutat e fundit që të tregohen shumë të kujdesshëm, si përsa u përket ndërhyrjeve për dëmtime të mundshme, ashtu edhe për kartonë. Nuk është rastësi që Bare, një nga ata që vuan më shumë kartonët e verdhë për vetë tipologjinë e lojës, e mbylli këtë sfidë “i pastër”, pa u ndëshkuar nga gjyqtari i sfidës.

Situata pritet të zgjidhet këtë javë, me transferimet e 2-3 lojtarëve drejt klubeve të La Liga dhe nënshkrimit të emrave të rinj, për të evituar që një situatë e ngjashme të përsëritet edhe në javët në vijim. /vipsport.al/