Ngonë nuk e tremb konkurrenca dhe e sheh Tiranën më të fortë: Luajmë një duel historik, synoj 15 gola

Majkëll Ngo mbetet një idhull për tifozët e Tiranës, por edhe pse me kapriçiot e tij që hera-herës bëhen problem, është një pikë referimi në sulmin e 24 herë kampionëve të vendit. Ngo është padyshim një nga sulmuesit më potentë në Superiore, e natyrisht që këtë sezon, në një Tiranë të ndërtuar për titull kontributi i tij është mëse i domosdoshëm.

Vllaznia

Në konferencën për shtyp, Ngo ka folur për ecurinë e deritanishme, por edhe për synimet që ka skuadra e tij për ndeshjen e radhës me shkodranët dhe jo vetëm: “E njoh mirë Vllazninë dhe kam luajtur në kupë kundër tyre. Nuk  është nevoja të më flasin për historinë këtij dueli”.

Skuadra

Ngo nuk i druhet konkurrencës dhe ai e thotë hapur se skuadra e këtij sezoni është më e fortë se një vit më parë. “Jam i lumtur që klubi i jep hapësirë të rinjve, ndërkohë që mund të them me bindje se jemi më të fortë se në sezonin e kaluar. Me Hasanin kemi bashkëpunuar dhe gjërat kur jam pranë tij duken më të lehta. Dua të shënoj të paktën 15 gola. Dua të fitojmë edhe në Kupë dhe jo vetëm të shkojmë në finale si në sezonin e kaluar”, – tha Ngo në fund të deklaratës së tij.

E.S./Vipsport.al/