Nga të rinjtë e Sampdorias te Palermo, mbrojtësi i Shpresave kalon vizitat mjekësore

Pak javë më parë, Federata Italiane vendosi të zbriste Palermon një kategori më poshtë dhe sezonin e ardhshëm, skuadra me traditë në futbollin italian do të luajë në Serinë C. Ky vendim, ka sjellë edhe shumë largime nga skuadra por njëkohësisht ka pasur edhe afrime të shumta.

Një ndër to, është edhe mbrojtësi Masimiliano Doda, i cili sezonin e fundit e mbylli me të rinjtë e Sampdorias por kartonin e tij e zotëron Palermo. Mbrojtësi shqiptar që ka luajtur me të rinjtë e kombëtares kuqezi, ka kryer vizitat mjekësore ditën e djeshme me Palermon dhe tashmë është bashkuar me ekipin e parë.

Ai do të jetë pjesë e skuadrës së parë këtë sezon dhe menjëherë është vënë në urdhrat e trajnerit. Doda ka qenë pjesë në ndeshjen e kontrollit mes skuadrës të ndarë në dy grupe, ku në njërin grup ishte Doda dhe në tjetrin ishte një futbollist tjetër shqiptar. Erdis Kraja, 18 vjeç është tjetër futbollist shqiptar i Palermos por me shumë gjasa do të jetë pjesë e të rinjve. /Erjon Allaraj-VipSport.al/