Nejmar-PSG pranë finishit, në dyqanin e klubit zhduken fotot e brazilianit

Tashmë pak ka rëndësi ku do të përfundojë Nejmar, nëse do të shkojë te Real Madrid apo te Barcelona. Ajo që është e sigurt gjithnjë e më shumë është se PSG nuk bën më plane me futbollistin dhe po zhduk pak nga pak gjurmët e tij në klub.

Kjo shihej qartë sot në një video të regjistruar nga “UOL Esporte” në dyqanin zyrtar të klubit në stadiumin në Paris. Të gjitha fotot dhe posterat e Nejmar ishin zhdukur nga ambientet e dyqanit dhe tashmë në çdo cep mbizotëronte Mbape, Kavani apo Verrati. I vetmi kënd ku kishte foto të brazilianit, ishte ai i stendës së NIKE, pasi Nejmar është imazhi i kësaj kompanie sa i përket një modeli të ri këpucësh që kanë dalë në shitje.

Në këtë mënyrë, duket se klubi po ndjek edhe “udhëzimin” e tifozëve të skuadrës të cilët nuk kursyen sharjet dhe koret kundër brazilianit duke bërë të qartë se nuk e duan më pjesë të skuadrës së tyre. /vipsport.al/