Në Itali nisin polemikat për arbitrin portugez, do të gjykojë sfidën Play Off të Torinos

Mbrëmjen e nesërme, skuadra e Torinos do të presë në Itali ekipin e Uolverhempton. Të dyja klubet do të diskutojnë një biletë e cila iu siguron pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Europës. Por, polemikat e sfidës kanë nisur një ditë më parë dhe ka qenë pikërisht pala italiane që ka hedhur dyshime mbi gjyqtarin e sfidës.

Ndeshja do të gjykohet nga portugezi Artur Soares Dias, ndërsa italianët pretendojnë se caktimi i këtij arbitri ishte një vendim i pavend pasi klubi i Uolves, duke hequr ekipet të cilat luajnë në Portugali, janë skuadra me më së shumti futbollistë portugez në Europë. Skuadra e Uolverhempton ka në përbërje 6 lojtarë luzitan, ndërsa edhe trajneri Espirito Santo është nga Portugalia.

Në këtë formë, italianët mendojnë se ndeshja është e kompromentuar, megjithatë sinjalet janë se gjyqtarët e përcaktuar nuk do të ndryshohen, por sigurisht diçka e tillë me pak vëmendje edhe mund të ishte shmangur nga disenjatori i arbitrave Roseti, i cili mbi të gjitha është italian./Egi Çabeli-VipSport.al/