Ndryshim plani në kalendari e javës, në Shkodër luhen dy ndeshje radhazi

Klubi i Kukësit ka vendosur që të mos zhvendoset ende në stadiumin e Kamzës, pasi ky i fundit nuk plotëson ende kushtet e duhura për të luajtur ndeshjet e Kategorisë Superiore. Ndaj skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro do të luajë në një stadium tjetër ndeshjen e kësaj jave ku pret ekipin e Laçit.

Verilindorët luajtën në “Elbasan Arena” sfidën e javës së parë ndaj Partizanit, por këtë herë do të luajnë në Shkodër, në pritje që në impiantin e Kamzës të mbarojë puna në kohë për duelin e radhës “në shtëpi”.

“Ndeshja e javës së tretë për Kategorinë Superiore, FK Kukësi – KF Laçi do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, ditën e diel në orën 16:00. Kjo sfidë do të zhvendoset në qytetin e Shkodrës, pasi në stadiumin ‘Kamëz’ po punohet për të arritur standardet e kërkuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ndeshjet e ardhshme skuadra jonë do ti zhvillojë në Kamëz, pasi është arritur marrëveshja mes palëve”, shkruhej në njoftimin  klubit.

Ajo që të bën përshtypje është se verilindorët, edhe pse kanë ndërruar stadium e kanë shkuar në një impiant me ndriçim artificial, nuk kanë insistuar që sfida e tyre me Laçin të shtyhej për në orën 19:00, në mënyrë që të evitohej vapa. Edhe më i çuditshëm është fakti se ata kanë pranuar të luajnë në Shkodër më pak se 24 orë pasi në këtë stadium të zhvillohet sfida mes Vllaznisë dhe Tiranës. /vipsport.al/