Mund të luajë edhe me Gjermaninë, zviceranët alarmohen: Shqiptarët duan të na vjedhin Ademin!

Kemal Ademit i janë dashur pak muaj që të kthehet nga një emër thuajse i panjohur, në një futbollist i cili tashmë monitorohet nga të paktën 3 përfaqësuese dhe teorikisht mund të luajë edhe me të katërtën, Gjermaninë. Duket e çuditshme por deri një vit më parë, futbollisti 23-vjeçar nuk ishte në radarët e askujt, ndërsa firmosi për Nojshatel Ksamaks.

Shënoi vetëm 8 gola në 26 ndeshje me Ksamaks e përsëri ishte heshtje nga të gjithë, por sapo u transferua te Bazeli dhe filloi të shënonte me rregullsi të admirueshme, gjiganti 1,95 metra është bërë një nga emrat më të lakuar në Federatën e Futbollit të Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës. Situata është e tillë aq sa e përditshmja zvicerane “Blick” ka bërë sot një artikull e alarmuar. “Shqiptarët duan të na vjedhin Ademin”, shkruan ajo duke treguar se futbollisti gjatë kohëve të fundit ka marrë propozime nga Kosova e Shqipëria për të luajtur në ndeshjet e shtatorit me ta.

Megjithatë, e përditshmja zvicerane insiston se zgjedhja e parë e Ademit, i cili ka edhe nënshtetësi gjermane meqë ka lindur në Gjermani, mbetet Zvicra. Garancinë për këtë ia jep menaxheri i futbollistit, Renato Cedriola.

“Ata e kanë telefonuar Kemalin për ndeshjet e radhës të kombëtareve, duan ta bindin që të ndryshojë përfaqësuese. Por ai është rritur në Herisau, e ndjen veten në shtëpi këtu, e ndjen veten zviceran”, tha menaxheri, duke lënë të kuptohet se si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, do të marrin përgjigje negative këto javë. /vipsport.al/