Moxhi i thur elozhe Ibrahimoviçit: Është si Kristiano Ronaldo, të mëson më shumë se trajneri

Zlatan Ibrahimoviç po kalon një moment fantastik në Amerikë, aty ku pavarësisht moshës së tij, po arrin të shënojë në mënyrë të vazhdueshme dhe gola nga më të çuditshmit. Forma e tij nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga ekipet në Europë dhe duket se interes ka edhe Fiorentina për të.

Në lidhje me këtë çështje, ka folur Luçiano Moxhi i cili u shpreh se një futbollist si Ibrahimoviç, i ndihmon të rinjtë në skuadër më shumë se vetë trajneri. Ai pranoi se suedezi mund të shënojë në cilindo kampionat që luan, pasi ka një fizik të admirueshëm dhe është si Kristiano Ronaldo.

“Zlatan ka një fizik biologjik dhe e ndihmon që të luajë si Ronaldo. Ai di të fitojë kudo, ashtu si në Amerikë. Sigurisht nuk mund të jetë ashtu në Serinë A, por nëse di të shënosh gola, i shënon në cilindo kampionat që luan. Nëse vjen te Fiorentina, do të ishte diçka fantastike pasi ai di të mësojë të rinjtë dhe t’u japë më shumë sesa u jep vetë trajneri”, u shpreh Moxhi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/