Mori të kuq në Ligën e Europës, largohet një nga yjet e Shkëndijës

Shkëndija e Tetovës i ka dhënë lamtumirën pas vetëm një sezoni një prej lojtarëve të saj kryesorë në prapavijë, Visar Musliut. Futbollisti i cili iu bashkua tetovarëve në verën e kaluar, ka gjetur prej kohësh akordin me klubin hungarez MOL Vidi dhe pritet të zyrtarizohet atje si përforcimi më i ri i tij brenda kësaj fundjave.

Lojtari 24-vjeçar nuk e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme karrierën e tij te skuadra tetovare, pasi në ndeshjen e fundit  në Europë kundër Dudelanzh, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 84-t të sfidës, duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë. Vendimi i trajnerit Osmani për ta aktivizuar futbollistin është interpretuar si shumë i diskutueshëm edhe për faktin se lojtari ishte në diskutime me ekipin hungarez për transferimin e tij prej kohësh dhe pas kësaj sfidë ishte i ndërgjegjshëm që do t’i jepte lamtumirën tetovarëve.

Megjithatë, me largimin e tij Shkëndija humbet një element me shumë eksperiencë, duke llogaritur se futbollisti i lindur në Gostivar është edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut me të cilën ka luajtur deri tani 15 ndeshje. /vipsport.al/