Mitrovica ndjek shembullin e Vllaznisë, kampionia e Kosovës për femra kalon turin në Champions

Pak minuta pasi Vllaznia për femra realizoi me sukses objektivin e saj për të kaluar fazën në grupe në Ligën e Kampioneve për herë të parë, shembullin e saj e ka ndjekur edhe kampionia e Kosovës, Mitrovica, e cila gjithashtu është kualifikuar nga turi eliminator i turneut për t’u bërë pjesë e 32 ekipeve më të mira në Europë për këtë edicion.

Skuadra kosovare mundi 1-0 Breznicën e Malit të Zi dhe kaloi grupin me pikë të plota, pasi kishte mundur më parë 2-1 Kluzh të Rumanisë dhe 2-0 NSA Sofje të Bullgarisë. Për suksesin e sotëm që i dha kualifikimin historik, skuadrës kosovare i mjaftoi goli i Biqkaj në minutën e 89 të sfidës, i realizuar me penallti në një duel shumë të luftuar.

Duhet theksuar se në radhët e Mitrovicës ka shumë futbolliste të cilat janë pjesë e përfaqësueses shqiptare si Rexhepi, Elezaj, Gjegji, Haziri, Jashari e Zeka, të gjitha protagoniste në fushën e lojës sot. /vipsport.al/