Merkato deri në Amerikë, Bylisi nuk ndalet para startit

Klubi i Bylisit vijon merkaton e madje ka afruar së fundmi edhe një shqiptar që ka lindur dhe është rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Fisnik Selmanin, i datëlindjes 2000 që ka firmosur kontratën në Ballsh dhe do të jetë pjesë e projektit të klubit për sezonin e ri në Superiore.

Futbollisti i ri i ballshiotëve është vetëm 19 vjeç, ndërsa shihet si një element me shumë perspektivë pasi dallohet për një fizik për t’u admiruar si dhe elementë të mrië të lojës teknike. Trajneri Dovedan dhe stafi e kanë parë në stërvitje dhe Selmani ka treguar vlera si një element me shumë perspektivë, ndaj është arritur akordi për firmën e tij për tre vitet e ardhshme.

Selmani ka luajtur në SHBA me akademinë e klubit Hjuston Dinamo, ndërsa është grumbulluar disa herë me përfaqësueset rajonale të kampionatit amerikan të grupmoshave. /vipsport.al/