Menaxheri i Kanavaros: Hysajn nuk e do askush, tani do e huazojnë

Transferimi i Davide Zapakostës te Roma ka mbyllur një tjetër derë për Elseid Hysajn, i cili tashmë nuk ka alternativë të hapura për transferimin e tij nga Napoli. I bllokuar në dy vitet e fundit nga kërkesat e larta të klubit për kartonin e tij, futbollisti për momentin duket se do të mbetet në pronësi të kësaj skuadre dhe sipas menaxherit të Fabio Kanavaros, alternativa e vetme që u mbetet palëve është një huazim që nuk do t’i bënte mirë askujt.

Enriko Fedele, ai që për shumë vite qëndroi përkrah fituesit të Topit të Artë, beson se tashmë nuk ka zgjidhje për situatën e Hysajt dhe se klubi ka vepruar gabim gjatë kësaj vere. “Napoli krijon gjithmonë konfuzion, merr një mbrojtës krahu të djathtë kur ka dy në përbërje. Hysajn nuk e do më askush dhe do të jetë i detyruar që ta japë në huazim”, shpjegoi ish-menaxheri i cili tashmë është kthyer në opinionist sportiv duke i kaluar stafetën të birit.

Edhe në mediat italiane, rasti i Hysajt është cilësuar shumë i veçantë, pasi ai kishte qenë në bisedime praktikisht me çdo klub të mundshëm që kishte kërkuar mbrojtës të djathtë, por pastaj kishte përfunduar gjithmonë jashtë diskutimeve për shkak të insistimit të presidentit të Napolit i cili duket i gatshëm të “djegë” mbrojtësin. /vipsport.al/