Mema: Tirana e ka kusht titullin, është diskutuar për Lilën dhe Abazajn

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, duket i kënaqur me atë që ka parë në fushën e lojës nga skuadra e tij në këto javë të fazës përgatitore. Tekniku është i ndërgjegjshëm se ka ende punë për të bërë për të integruar të rinjtë, por në një prononcim për RTSH ka pranuar se skuadra është përgjigjur pozitivisht.

“Skuadra është shprehur goxha mirë. Ndeshjet miqësore që kemi bërë nuk janë shumë reale për forcat, nuk është se kemi parë forcën reale të ekipit. Megjithatë, për gjërat që kam kërkuar kam qenë i kënaqur me atë që ka dhënë ekipi. Kemi prurje te reja dhe duhet ende të mësohen me punën që  bëhet këtu se gjithsesi ata kanë mënyrën e vet të lojës që kanë bërë në skuadrat ku kanë qenë”, tha ai.

Trajneri nuk fsheh ambiciet e zakonshme të bardhebluve në çdo fillim sezoni, ato për të luftuar për titull dhe është i ndërgjegjshëm që kjo mund të jetë një shtysë më shumë për ekipin. “Nuk ka asnjë lloj presioni, Tirana e ka kusht sa i përket që të luftojë në majë, gjithmonë ka kërkuar që të jetë në krye, e luftojë për kampionatin. Mendoj se kjo na bën mirë se na kushtëzon vetë, jo se na vë kush në presion për të luftuar për titullin”, tha Mema.

Zërat e merkatos shohin përsëri bardheblutë aktivë gjatë gushtit për të afruar dy futbollistë me emër si Andi Lila dhe Kristal Abazaj. Mema pranon se ka diskutime, por jo ndonjë gjë më konkrete rreth futbollistëve në fjalë. “Ndoshta janë pjesë e bisedimeve me klubin por të them të drejtën unë i bëj hyzmet lojtarëve që kam këtu. Nëse do të vijnë lojtarë cilësore të Tirana do të jem i gatshëm e kënaqur. Por kjo është edhe pjesa e menaxhimit të klubit. Është diskutuar për ta, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, deklaroi trajneri. /vipsport.al/