Mema: Ishte penallti për Vllazninë, isha i mërzitur se duhej të fitonim 4 apo 5-0

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, e ka cilësuar ndeshjen e sotme mes skuadrës së tij dhe Vllaznisë si të merituar ndërsa ka pranuar se episodi i diskutueshëm i fillimit të ndeshjes ishte penallti për kuqeblutë. Në “SuperSport” ai deklaroi se ekipi i tij mund të fitonte më thellë këtë sfidë.

“Pjesa e parë ishte ku na vuri shumë në vështirësi kundërshtari. Luftoi shumë, ishte pas topit dhe luftoi që të kapte pas problemeve tona. Kjo ishte pak a shumë pjesa e parë, goli e çliroi ekipin, duhej të shënonim më tepër gola. Isha shumë i mërzitur se kishim mundësi ta çonim ndeshjen në 4 apo 5-0, me këta lojtarë do të flas, sidomos më ata që kanë eksperiencë, që të bëjnë punën e tyre se për këtë paguhen, të shënojnë gola. Nuk duhet të jemi pjesë e spektaklit, por e fitoreve. Nuk ishte vetëm Hasani, ishin edhe të tjerë, ai e bëri punën e tij, duhet të jetë sa më i thjeshtë se kemi shumë rrugë përpara.

Në pushim diskutova me lojtarët se luanim shumë poshtë me dy qendrat e mesfushës, pastaj shtyva Bathën para. Ndryshe ishte pjesa e dytë, dua ta shoh ndeshjen edhe një herë se ishim me ngarkesat e lojës. Dy qendrat tona duhet të shkurtojnë më tepër fushën. Këto do të jenë pjesë e analizës.

Ardhja e Osmanit ishte vlerë e shtuar te ekipi, bën punën shumë mirë, e kam si zëvendësin tim në fushë dhe mban gjithë kohës në vëzhgim, jep informacione edhe për të tjerët. Osmani në këto tre ndeshje ka qenë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes tonë. Teuta ka pasur raste për të na shënuar, por në vazhdim do të kemi ndeshje më të fort, me Skënderbeun, Kukësin e Partizanin e aty do të shohim se çfarë do të bënim.

Gjyqtari? E thash pas Teutës që ishte gol, është pjesë e lojës. M’u tha që Çelhaka ka bërë faull, mendoj që është penallti. Kjo është e vërtetë. Lojtarët tanë duhet të kenë kujdes në këto zona. Tensioni në fushë ishte i panevojshëm, nuk e kuptoj pse hidhnin shishe, që te momenti i Likës që kërkoi penallti. Nuk e di a është penallti ajo, duhet të ruajmë qetësinë si klube e individë, duhet të zhvillojmë ndeshje në ambiente normale, në këto stadiume nuk duhet të ketë kështu problemesh”, tha Mema. /vipsport.al/