Me Keidi Baren nuk ka kurrë monotoni. Vërshëllima, sharje, sherr dhe përqafime pas ndeshjes

Ndeshja e Keidi Bares me Malagan ndaj Kadiz nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare. Futbollisti, si zakonisht titullar, ka rolin e motorit të mesfushës dhe bën shpesh “punën e pistë” të skuadrës së tij i rreshtuar para mbrojtjes. Për këtë arsye, nuk mungojnë përplasjet e vazhdueshme me kundërshtarët e tij.

Megjithatë, në ndeshjen miqësore të së shtunës, situata ishte paksa më e veçantë se zakonisht. Që në fillim të sfidës, sa herë që Bare ishte në kontakt me topin, nga tribunat vërshonin sharjet dhe vërshëllimat ndaj tij nga tifozeria vendase.

Sikur të mos mjaftonte kjo, gjatë pjesës së parë nisi një duel me Garrido, duke shtyrë e goditur njëri-tjetrin, ndërsa në pjesën e dytë ishte Fernandez rivali i përplasjeve të mesfushorit të përfaqësueses shqiptare i cili nuk u kursye duke llogaritur se ishte një miqësore, aq sa në disa raste lojtarët i ndanë shokët e skuadrës

Por në fund, me vërshëllimën e  gjyqtarit që mbylli ndeshjen, Bare tregoi se çdo lloj nervozizmi e adrenaline e lë në fushën e lojës. Futbollisti shkoi e takoi dhe përqafoi me shpejtësi kundërshtarët me të cilët vetëm pak minuta më parë kishte qenë duke u përplasur në fushë. Disa batuta largim nga fusha mes buzëqeshjeve, duke treguar se si duhet përjetuar realisht një ndeshje futbolli. /vipsport.al/