Mbrojtësi i Kombëtares shkëlqen në kampionat, në formacionin e javës së bashku me Lenën

Kampionati maqedonas ka ngritur zyrtarisht siparin për sezonin e ri, ku në javën e parë nuk kanë munguar rezultatet surprizë, siç ishte humbja e Shkëndijës. Sakaq, fitore ka arritur të marrë skuadra tjetër shqiptare, Struga Trim Lum e cila ka mundur me rezultatin 2-1 Rabotniçkin.

Pjesë e skuadrës së Strugës, është edhe mbrojtësi i ri Blerton Sheji i cili pak javë më parë u grumbullua nga Kombëtarja dhe ishte nën urdhrat e Edi Rejës për disa ditë. Sakaq, Sheji u aktivizua me Shqipërinë U21, duke qenë ndër më të dalluarit në fushë. Edhe në kampionat, Sheji ka bërë një paraqitje mjaft të mirë dhe mediat maqedonase e kanë renditur në formacionin më të mirë të javës.

Së bashku me Nijas Lenën, Sheji ka kontribuar në fitoren e parë sezonale të Strugës në elitën e futbollit maqedonas, duke u rreshtuar kështu në formacionin më të mirë. Lena është një emër i njohur në futbollin tonë, pasi ka arritur të lërë jo pak gjurmë me Teutën, Flamurtarin e Kukësin.

“Mbrojtësi i majtë ka treguar cilësi të mira jo vetëm në repartin e mbrojtje por edhe në mesfushë duke kontrolluar ndeshjen ndaj “romantikëve”, shkruhej në vlerësimin për Shejin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/