Mbrojtësi i Kombëtares largohet nga skuadra e trajnerit më të urryer në Itali, firmos në Finlandë

Merkatoja e verës ka qenë mjaft aktive edhe për shumë futbollistë shqiptarë të cilët janë larguar nga skuadrat e tyre dhe kanë nisur një aventurë të re. I tillë është rasti i mbrojtësit të Kombëtares, Hysen Memolla i cili ka vendosur të largohet nga Salernitana e Lotitos në Itali, duke firmosur në kampionatin finlandez.

Mbrojtësi i cili u bashkua me Salernitanën pak muaj më parë, nuk arriti të linte gjurmë duke u larguar në këtë mënyrë. Ardhja e Venturës në krye të stolit, ka bërë që Memolla të mendojë për një tjetër alternativë pasi minutat ishin kthyer në problem për të.

Ai ka firmosur me ekipin e KPV-së në Finlandë dhe u shpreh mjaft i lumtur për këtë transferim. Memolla është i bindur se do të japë më të mirën e tij, për të treguar vlerat me skuadrën e re. “Dua të falënderoj ekipin dhe të gjithë ata që e bënë të mundur këtë transferim. Jam i lumtur për mundësinë që mu dha dhe dua të jap më të mirën time në fushë dhe të tregoj kualitete si lojtar”, u shpreh Memolla. /Erjon Allaraj-VipSport.al/