Mazarri i thur elozhe skuadrës së shqiptarëve: Më të fortë seç e mendonim, ishim ende në festë

Torino arriti të kalonte turin e radhës në Ligën e Europës, duke mundur skuadrën e Shakhtjor Soligorskut, skuadër në të cilën aktivizohen Elis Bakaj dhe Azdren Llullaku. Skuadra e drejtuar nga Valter Mazarri, arriti ta fitonte ndeshjen e parë me rezultatin 5-0, ndërkohë që historia ishte ndryshe në ndeshjen e dytë.

Takimi u mbyll në barazim 1-1, aty ku Zaza shënoi fillimisht për italianët dhe më pas barazoi Janush në minutën e fundit. Trajneri Mazarri, u shpreh se skuadra e Shakhtjorit ishte më e fortë nga sa e kishte menduar duke pranuar se nuk mund të hiqte euforinë nga skuadra e tij.

“Donim të bënim një ndeshje më të mirë se ajo që bëmë, por kuptuam se kundërshtari ishte shumë më i fortë nga sa kishim menduar ne pas rezultatit të parë. Ua bëra të qartë futbollistëve se duhet të sulmojmë më shumë se në Torino, por është e vështirë të hiqet euforia pas një rezultati si ai dhe skuadra ishte ende nën adrenalinë. Megjithatë, më vjen mirë që kaluam këtë ndeshje dhe tashmë duhet të japim më të mirën në turin e radhës dhe nuk duhet të pësojmë gol në ndeshjen e parë në shtëpi”, u shpreh Mazarri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/