Masë ndëshkimore për Asanin, futbollisti përfundon në tribunë

Jasir Asani do të ndjekë ndeshjen e parë të kampionatit si spektator, pasi trajneri Franko Lerda e ka lënë atë jashtë planeve të tij për sfidën ndaj Kuëksit. Në klubin e kuq i japin shumë rëndësi disiplinës dhe duket se sulmuesi është i ndëshkuari i radhës për skenën në finalen e Superkupës, në fillimin pjesë së dytë të sfidës.

Asani u zëvendësua vetëm pak minuta pas rifillimi të ndeshjes dhe reagoi i zemëruar ndaj këtij vendimi të trajnerit italian. Kaq ka mjaftuar që plani për ndeshjen e parë të kampionatit të bëhet pa sulmuesin i cili ka qenë pjesë e rëndësishme e skemave të Partizanit në edicionin e kaluar nën drejtimin e Gegës, por nuk po arrin të shfaqet në të njëjtat nivele me Lerdën.

Kësisoj, lojtari sot jo vetëm nuk do të jetë në fushën e lojës si titullar, por as në pankinë për këtë duel, duke përfunduar vizitor në tribunë. Vendimi i është komunikuar lojtarit i cili sigurisht ka udhëtuar me skuadrën për duelin e sotëm dhe do ta ndjekë atë si një spektator i thjeshtë. Ky vendim mund të shtyjë edhe më shumë Asanin drejt largimit nga të kuqtë, duke parë se për të nuk mungojnë ofertat nga jashtë Shqipërisë. /vipsport.al/