Marota synon të bëjë goditjen e radhës ndaj Juventusit, Ikardi drejt PSG-së për shkak të… Dibalës

Marota dhe Juventusi kanë nisur një luftë të ashpër mes tyre, ku të dyja palët synojnë që jo vetëm të forcojnë veten, por edhe t’i prishin jo pak punë rivalit. Pasi Juventusi hyri fuqishëm në garë për Lukakun, Marota arriti të bindte “djajtë e kuq” për të marrë shërbimet e tij por duket se asgjë nuk ka përfunduar në merkato.

Inter synon që këtë merkato të shesë ish-kapitenin Mauro Ikardi i cili nuk është në planet e Kontes, por është një dëshirë e madhe e Juventusit. Drejtuesit zikaltër nuk duan ta shesin Ikardin te Juventusi pasi në këtë mënyrë forcojnë një rival direkt, por dëshira e tyre është që sulmuesi argjentinas të firmosë në Francë me PSG-në.

Jo vetëm se PSG-ja ofron 80 milionë euro për të, por zikaltërit janë të bindur se nëse shitet në Francë, do të kenë më të lehtë të marrin Milinkoviç-Saviçin, si edhe do të bllokonin transferimin e Dibalës. Numri “10” i Juventusit, është një nga objektivat e Interit, megjithatë nëse ai shitet këtë verë, do të ishte një mision i pamundur.

Kështu, duke shitur Ikardin te PSG-ja do të forcoheshin bilancet e klubit ndërkohë që dështimi i transferimit të Dibalës, jo vetëm që nuk do t’i sillte të ardhura Juventusit, por do t’i jepte mundësi Interit të niste për operacionin e transferimit të tij në Milano. /Erjon Allaraj-VipSport.al/