Malota nuk fshihet: Objektiv është mbijetesa, kemi mbetur me një sulmues

Një nga lojtarët që vendosen të mos largohen nga Vllaznia pas rënies së saj në Kategorinë e Parë ishte edhe Renato Malota. Mbrojtësi i cili kishte luajtur për shumë sezone në skuadra elitare në Shqipëri, vendosi që të qëndronte te kuqeblutë e tashmë do të luajë atje sezonin e tretë radhazi, i kthyer përsëri në elitë.

Por futbollisti është i ndërgjegjshëm që në këtë vit gjithçka do të jetë shumë e vështirë dhe se ekipi do të duhet të përqendrohet fillimisht te mbijetesa, e më pas të shohë për objektiva të tjerë.

“Po e marrim veten dita-ditës. Gjithsesi, çdo lojtar ka nevojë për periudhën e vet që të marrë formën e tij fizike. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe po krijojmë një Vllazni të mirë.

Normalisht do të jetë një sezon shumë i vështirë pasi të vish nga Kategoria e Parë në Superiore është një gjë tjetër. Por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën çdo ndeshje që ne të sigurohemi për qëndrimin në Superiore që e kemi qëllim, pastaj ca të vijë është pjesë tjetër”, tha ai për RTSH.

Malota gjithashtu thekson se e cilëson grupin e futbollistëve të Vllaznisë të pamjaftueshëm, sidomos sa i përket fazës sulmuese. “Në merkato them që kemi nevojë se na duhet një sulmues, kemi vetëm një lojtar dhe që vjen nga të rinjtë ndaj na duhet me patjetër. Pastaj të tjerët i di stafi”, tha Malota. /vipsport.al/