Liga e Kampioneve / Tre skuadrat ballkanase pranë kualifikimit në grupe

Tre skuadra ballkanase janë vetëm një hap larg pjesëmarrjes në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve. Dinamo Zagreb, Olimpiakos dhe Crvena Zvezda kanë arritur sot rezultate të rëndësishme në sfidat e tyre përkatëse në play-off të turneut, duke bërë mëse të mundur kualifikimin e mëtejshëm.

Dinamo Zagreb luante në shtëpi përballë Rosenborg dhe me dy gola në pjesën e parë të sfidës ka hipotekuar një rezultat të rëndësishëm që i jep një avantazh të ndjeshëm për duelin e kthimit ku vendasit me siguri do të mundohen të konkretizojnë rastet e shumta që krijojnë, ndërsa sot e kishin të vështirë të gjenin rrjetën edhe pse tentuan disa herë portën.

Thuajse i sigurt duket kualifikimi i Olimpiakos, i cili ka masakruar 4-0 Krasnodarin, duke qenë superior gjatë gjithë sfidës kundër skuadrës ruse e cila gjuajti vetëm një herë në kuadrat gjatë të gjithë takimit.

Ndërkohë, Crvena Zvezda ka marrë një barazim 2-2 në transfertë ndaj kampionëve të Zvicrës, Jang Bojz, duke bërë një hap të rëndësishëm para sfidës së kthimit në Beograd ku mund t’i mjaftojë një barazim për të vazhduar më tej. /vipsport.al/

NDESHJET

Dinamo Zagreb-Rosenborg 2-0
8’ (p) Petkoviç, 28’ Orsic

Olimpiakos-Krasnodar 4-0
30’ Guerrero, 78’, 85’ Randjeloviç, 89’ Prodence

Jang Bojz-Crvena Zvezda 2-2
7’ Asale, 76’ (p) Horo / 18’ Degenek, 46’ Garsia