Liga e Kampionëve/ Në Serbi luhet akti i dytë për Jang Bojs, grupet nisin të plotësohen sot

Liga e Kampionëve rikthehet sot me 3 takime mjaft interesante për turin e fundit para fazës në grupe. Në “Play Off” të Ligës së Kampionëve, janë 12 skuadra të cilat do të provojnë të marrin një biletë për në fazën në grupe ku përveç prestigjit, edhe fitimet financiare janë të shumta për ta.

Jang Bojsi që arriti të merrte një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Crvena Zvezdës, ka një takim delikat tashmë në Serbi. Pas sherrit që ndodhi mes tifozëve të skuadrës serbe dhe shqiptarëve në Zvicër, pritet që tensionet dhe ofendimet të jenë të pranishme mbrëmjen e sotme edhe në Beograd.

Sakaq, Olimpiakosi është me një këmbë në grupe, duke qenë se ndeshjen e parë e ka fituar me rezultatin e thellë 4-0. Një hap të sigurt, ka hedhur edhe skuadra e Dinamo Zagrebit e cila në Kroaci, ka fituar ndaj Rosenborgut me rezultatin 2-0. Fituesit, do të kalojnë në grupet e Championsit, ndërkohë që humbësit do të kalojnë në grupet e Ligës së Europës. Nesër do të njihen edhe të tjerat e kualifikuara ndërkohë që të premten hidhet shorti për grupet e Ligës së Kampionëve. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Luhen sot:

21:00 Krasnodar-Olimpiakos (0-4)

21:00 Crvena Zvezda-Jang Bojs (2-2)

21:00 Rosenborg-Dinamo Zagreb (0-2)