Liga e Kampionëve/ Luhen ndeshjet e para të “Play Off”, Ajaksi ‘ngec’ në Qipro

Liga e Kampionëve ka hyrë në fazën përfundimtare të kualifikueseve për në grupe, ku sot u luajtën ndeshjet e para të turit të “Play Off”-it. Ajaksi i Amsterdamit udhëtoi në një transfertë delikate, aty ku përballë kishte skuadrën e APOEL-it, skuadër kjo surprizë në Ligën e Kampionëve.

Skuadra qipriote, u mund pak ditë më parë në shtëpi nga Karabaku me rezultatin 1-2, ndërkohë që me shkarkimin e Tramexanit, arriti të fitonte në Azerbajxhan duke kaluar më tej. Holandezët nuk ia dolën të triumfonin teksa ngecën në një barazim 0-0. Sakaq, në fushë zbriti edhe Klyzh, që përballë kishte Slavian e Pragës. Ekipi çek mori një triumf të rëndësishëm në transfertë me rezultatin 0-1.

Takim interesant ishte edhe ai mes LASK Linz dhe Klub Bryzhit, ku ekipi belg triumfoi me rezultatin minimal 0-1. Ndeshjet e kthimit, do të luhen një javë më vonë, ndërkohë që nesër do të luhen të tjera ndeshje. Skuadrat e kualifikuara, kalojnë në grupet e Championsit, ndërsa të eliminuarat në grupet e Ligës së Europës. Shorti për Championsin do të hidhet më 29 gusht. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Rezultatet:

21:00 APOEL-Ajaks 0-0

21:00 Klyzh-Slavia Pragë 0-1

21:00 LASK Linz-Klub Bryzh 0-1