Liga e Kampioneve, Ajaksi mes emrave të fundit që preu biletën për grupet

Skuadra e Ajaksit ia ka dalë të shkojë në grupet e Ligës së Kampioneve, duke mundur sot në fushën e vet APOEL për të siguruar praninë mes emrave më të mëdhenj të kontinentit për një tjetër edicion. Edhe pse ishte gjysmëfinalist i edicionit të kaluar, rregullat e UEFA-s detyruan Ajaksin të kalonte nëpërmjet kualifikueseve ku jo pa peripeci skuadra e Ten Hag arriti të sigurojë kualifikimin në grupe.

Në play-off, kundërshtari ishte APOEL i Qipros, i cili arriti të ndalte në barazim 0-0 në ndeshjen e parë holandezët.  Por në shtëpi, këta të fundit kanë diktuar ritmin e tyre, duke gjetur rrjetën me Alvarez në pjesën e parë dhe Tadiç në të dytën, për të prerë biletën për turneun me suksesin 2-0.

Në fazën tjetër kanë kaluar edhe Klub Bryzh dhe Slavia Pragë. Belgët mundën 2-1 në shtëpi LASK Linz, pas fitores 1-0 në transfertë në duelin e parë. Ndërsa skuadra e Republikës Çeke fitoi minimalisht 1-0 ndaj CFR Kluzh të cilën e kishte mundur edhe në transfertë. /vipsport.al/