Liga e Europës/ Shqiptarët në fushë, Bakaj sfidon Torinon

Ditën e sotme do të luhen ndeshjet e turit të tretë kualifikues të Ligës së Europës. Në fushë do të zbresin shumë skuadra, ndërsa në radhët e tyre janë edhe disa futbollistë shqiptarë të cilët kërkojnë të shkojnë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Kështu, duke parë kundërshtarin parashikohet një mbrëmje e vështirë për Shaktjor Soligorskin e Elis Bakaj.

Sulmuesi ka një punë të madhe teksa duhet të udhëheqë skuadrën e tij si në turin e kaluar ku ishte protagonist me një gol dhe asist, megjithatë kundërshtarët do të mundohen ta bllokojnë duke e ditur se është lojtari kryesor i ekipit bjellorus. Ndërkohë, pjesë e Shaktjorit është edhe Azdren Llullaku i transferuar këtë verë, teksa për të mund të ketë disa minuta për të shijuar debutimin përballë Torinos. Sakaq, në fushë do të abresh edhe Migjen Basha me Arisin. Skuadra e shqiptari do të përballet në transfertë me norvegjezët e Moldes.

Universitatea Kraiova, ekipi me të cilin aktivizohet mesfushori Kamer Qaka do të presë në shtëpi grekët e AEK-ut të Athinës. Ndërkaq, në fushë për skuadrën e Piunik Jerevan të Armenisë do aktivizohet mbrojtësi Kristi Marku. Në fushë për turin e tretë eliminator është edhe klubi i Norkonping. Me suedezët të cilët përballen me Hapoel Ber Sheva aktivizohet mbrojtësi Egzon Binaku. Ndërkohë, Trabzonspori i Donis Avdijaj ka një përballje në transfertë me Spartën e Pragës. Ndërsa, Luzerna, skuadra ku aktivizohen dy lojtarët e përfaqësueses së Kosovës, Demhasaj dhe Voca, presin në shtëpi Espanjolin.

/Egi Çabeli-VipSport.al/