Lerda i jep fund dilemave për formacionin, rikthen në stol Jasir Asanin

Partizani do të debutojë sot ndaj Kukësit në Kategorinë Superiore për edicionin e ri, ndërkohë që skuadra kryeqytetase është stërvitur ditët e fundit në Elbasan. Kompleksi “Pepa”, i përdorur edhe nga Skënder Gega, ka qenë i rëndësishëm edhe për Lerdën që e ka stërvitur skuadrën e tij në qytetin ku luhet edhe ndeshja e sotme.

Sakaq, Lerda i ka dhënë fund dilemave dhe duket se e ka përcaktuar formacionin për sot. Në portë, i paprekshëm është Alban Hoxha, ndërkohë që vendin e Solomon, me shumë gjasa do ta zërë Braun që shënoi 3 gola në finalen e Superkupës.

Jasir Asani do të rikthehet në stol, ashtu si në Kupat e Europës. Sulmuesi i të kuqve që sezonin e shkuar ishte ndër më të dalluarit te Partizani, ku shënoi dhe asistoi rregullisht, duket se nuk është një zgjedhje e parë e Lerdës, pasi edhe pozicioni i ri që Lerda i ka dhënë, nuk po i jep mundësi ambientimi. Takimin e sotëm, sulmuesi nga Shkupi pritet ta nisë nga stoli. /Erjon Allaraj-VipSport.al/