Kutinjo merr fanellën me numrin 10 te Bajern, bavarezët i morën leje Roben

Bajern Mynih ka gjithmonë një mënyrë të veçantë për të bërë gjërat. Kështu ka ndodhur edhe me afrimin e Felipe Kutinjos, për numrin e fanellës të të cilit është pyetur një ish-futbollist.

Në momentin e prezantimit sot, Kutinjo mbante në dorë fanellën me numrin 10. Ajo në vitet e kaluara i përkiste një lojtari që shkroi historinë në Mynih, Arjen Roben dhe klubi me sa duket ka pyetur pikërisht holandezin nëse Kutinjo e meritonte të trashëgonte fanellën e tij apo jo.

“Kemi folur të gjithë me Roben dhe i thamë që nuk donim t’i dhuronim askujt fanellën me numrin 7 dhe atë me numrin 10. Por pastaj i kemi thënë që do të dëshironim që atë me numrin 10 t’ia jepnim Kutinjos dhe ai pranoi, duke thënë se ishte numri perfekt për brazilianin”, tregoi Karl Hainz Rumenige.

Edhe pse Roben është larguar nga bavarezët dhe e ka mbyllur me futbollin e luajtur, duket se fjala e tij ka ende shumë peshë te Bajern Mynih ku ai pyetet për gjëra nga më të ndryshmet. /vipsport.al/