Kutinjo kalon vizitat mjekësore te Bajerni, merr një numër legjendar që e ka me fat

Filipe Kutinjo mund të konsiderohet tashmë zyrtarisht futbollist i Bajernit pasi ditën e sotme ka kaluar me sukses vizitat mjekësore. Ylli brazilian, vetëm pak ditë më parë arriti akordin me skuadrën e tij të re, megjithatë vetëm ditën e sotme ka mbërritur në Mynih ku edhe është takuar me drejtuesit dhe ka kryer testet.

Sakaq, ai ka zgjedhur edhe numrin që do të mbajë te Bajerni dhe i është rikthyer fanellës me numrin “10”. Këtë numër, Kutinjo e kishte edhe te Liverpuli në kohën kur po shkëlqente ndërkohë që te Barcelona mbante fanellën me numrin 14 dhe më pas numrin 7.

Numri “10” ishte i pamundur jo vetëm për Kutinjon por për këdo te katalanasit duke qenë se mbahet nga Leo Mesi. Sakaq, te Bajerni është një numër të cilin e ka mbajtur Arjen Roben në sezonet e fundit, numër me të cilin ka shkëlqyer, ndërkohë që në të kaluarën e kanë mbajtur edhe Mataus, Rumenige apo edhe Uli Hënes. /Erjon Allaraj-VipSport.al/