Kupa e Italisë mund të jetë shansi i artë për sulmuesin e Shpresave, Kolaj grumbullohet me Sasuolon

Mbrëmjen e djeshme, Kastriot Dermaku debutoi në ndeshje zyrtare me Parmën duke u kualifikuar në Kupën e Italisë, ndërkohë që sot radhën për të debutuar me ekipin e parë në ndeshje zyrtare, mund ta ketë një tjetër shqiptar. Aristidi Kolaj është grumbulluar nga trajner De Zerbi për ndeshjen ndaj Specias që luhet mbrëmjen e sotme.

Duke parë nivelin e kundërshtarit përballë, trajneri mund t’i besojë ndoshta disa minuta talentit shqiptar i cili ka qenë pjesë e Sasuolos në këtë fazë përgatitore dhe ka arritur të luajë e të shënojë gola me ekipin e parë.

Në listën e bërë publike nga trajneri, Kolaj është në sulm së bashku me futbollistë si Raspadori, Brinjola, Kaputo apo Berardi. Grumbullimi me ekipin e parë, natyrisht është një hap i madh për futbollistin e Shpresave por, debutimi me ekipin do të ishte diçka fantastike për 20-vjeçarin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/