Kukësi në provën e parë të epokës Duro, sot zbret në fushë për një ndeshje miqësore

Prej ditësh, ekipi i Kukësit ndodhet në Mavrovë aty ku po kryen edhe fazën përgatitore për ndeshjen e Superkupës që do të luhet të dielën ndaj Partizanit. Skuadra që tashmë drejtohet nga Shpëtim Duro, ka pasur disa përforcime në merkaton e verës, megjithatë ende nuk ka pasur ndeshje miqësore për të parë ambientimin e tyre.

Kështu, klubi ka vendosur të zhvillojë një miqësore me ekipin e Vëllazërimit ditën e sotme. Takimi miqësor do të luhet në stadiumin e Kërçovës, duke filluar nga ora 17:30 dhe është njëkohësisht miqësorja e parë e Kukësit nën drejtimin e Shpëtim Duros.

Duro do të ketë mundësi të provojë afrimet e reja pasi kanë firmosur disa futbollistë si Gavazaj, Çajani, Daku apo edhe portierët Xhika e Avdyli. Kujtojmë që Kukësi e mbylli shpejt aventurën Europiane këtë sezon, duke u mundur me rezultatin 3-0 nga Debreceni në transfertë dhe duke barazuar më pas 1-1 në “Elbasan Arena”. /Erjon Allaraj-VipSport.al/