Kukësi i jep lamtumirën Shametit si futbollist: Një nga më profesionistët, dera e hapur si pjesë e stafit

Me sa duket te Kukësi janë të mendimit se Ylli Shameti nuk është më në nivelin e pritshëm prej tyre për të dhënë kontributin që kjo skuadër të luftojë për trofe. Kjo nënkuptohet te njoftimi zyrtar i klubit pëtr mbylljen e marrëveshjes me futbollistin i cili ka kaluar pjesën më të madhe të 6 viteve në radhët e kësaj skuadre duke mbajtur në krah shiritin e kapitenit.

Kukësi ka falënderuar futbollistin për bashkëpunimin duke kujtuar disa nga karakteristikat e tij më të rëndësishme që e bënë një prej lojtarëve më të respektuar nga tifozeria. Pro në fundin e njoftimit zyrtar, shfaqet edhe fraza që lë hapur bashkëpunimin nëse Shameti do të dëshironte të kthehej jo më si një futbollist, por si një pjesëtar i stafit.

NJOFTIMI

Futboll Klub Kukësi falënderon Ylli Shametin për kontributin e dhënë me fanellën tonë.

Gjatë 6 viteve me skuadrën kuksiane, ku shumicën e kohës si kapiten, qendërmbrojtësi ka qenë një nga futbollistët më profesionist në historinë e Klubit, si brenda ashtu dhe jashtë fushës së blertë.

35-vjeçari me skuadrën tonë arriti të fitonte Titullin Kampion, 2 herë Kupën e Shqipërisë si dhe Superkupën.

Në arenën ndërkombëtare ka luajtur rol kyç, pasi ka ndihmuar ekipin në kualifikimet europiane.

Me klasin dhe karakterin e tij prej lideri, ai i ka dhënë gjithmonë motiv bashkëlojtarëve duke e çuar ekipin drejt sukseseve.

‘Mbreti’ i topave në ajër, por edhe shpesh herë autor golash, gjirokastriti do të jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjet e kuksianëve.

Një profesionist si Ylli Shameti do ta ketë gjithmonë derën e Klubit hapur edhe si pjesë e stafit teknik.

#FaleminderitKapiten💙