Kriza ka pasoja, Shkëndija largon trajnerin e dy titujve kampion

Kriza që po zgjat në radhët e skuadrës së Shkëndijës së Tetovës ka sjellë pasojat e saj. Eliminimi pa lënë shenjë në Europë është shoqëruar me rezultate tejet zhgënjyese në kampionat dhe drejtuesit e skuadrës kanë marrë masë drastike.

Bordi drejtues ka bërë publik vendimin për shkarkimin e trajnerit Qatip Osmani, i cili drejtoi ekipin në dy sezonet e fundit ku skuadra siguroi titullin kampion dhe dominoi futbollin në Maqedoninë e Veriut. Tani pritet të mësohet emri i trajnerit të ri, pasi përkohësisht është vendosur që skuadrën ta drejtohu Erhan Selimi, i cili edhe më parë ka mbuluar këtë post në situata emergjence.

NJOFTIMI

KF Shkëndija njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me stafin teknik.

Grupi i punës që ka marrë përsipër menaxhimin e KF Shkëndija, duke analizuar rrethanat e fundit dhe rezultatet negative në periudhën e kaluar, vendos të shkarkojë nga detyra stafin teknik në krye me Qatip Osmanin.

Të gjithë në KF Shkëndija falënderojmë Qatip Osmanin për kontributin e tij në arritjen e sukseseve historike në vitet e kaluara, duke i dëshiruar gjithë të mirat në të ardhmen.

Deri në emërimin e shefit të ri të stafit teknik, si ushtrues detyre (trajner i përkohshëm) caktohet Erhan Selimi./vipsport.al/