Konte izolon Interin në “San Siro”, me skuadrën shkon edhe Mauro Ikardi

Interi po i jep dorën e fundit përgatitjeve në prag të takimit të javës së parë ndaj Leçes dhe ditën e sotme, Antonio Konte ka dhënë një urdhër të prerë. Interi do të zhvillojë stërvitjen në stadiumin “San Siro” në mbrëmje, aty ku nuk lejohen as tifozë dhe asnjë gazetar të jetë i pranishëm.

Ka qenë vetë klubi zikaltër që e ka njoftuar diçka të tillë, ndërkohë që ende nuk dihen arsyet që e kanë shtyrë Konten të marrë këtë vendim. Sakaq, me grupin pritet të jetë edhe Mauro Ikardi i cili deri më tani, është stërvitur me skuadrën vetëm në aspektin atletik, ndërkohë që në stërvitjet taktike, ai është diferencuar.

Tashmë, mbetet të shihet nëse Ikardi do të nisë të stërvitet me skuadrën apo jo, megjithëse sot nuk pritet që të dalin shumë informacione në lidhje me këtë. Sa i përket stërvitjes, Konte mund të përcaktojë edhe 11 titullare që do të luajë të hënën në mbrëmje. /Erjon Allaraj-VipSport.al/