Konfirmohet lajmi i VipSport, mbrojtësi i Shkëndijes transferohet te kampionët e Hungarisë

Një nga mbrojtësat më të dalluar të Shkëndijës, Visar Musliu ka mbyllur me sukses transferimin te klubi kampion i Hungarisë, Mol Fehervar. Konfirmohet në këtë formë lajmi i pak ditëve më parë nga VipSport. Ndërkohë, 24-vjeçari ishte pjesë e tetovarëve prej një viti e gjysmë, por ka mjaftuar për të marrë vëmendjen e një klubi të rëndësishëm. Kështu, Musliu ka mbyllur aventurën në kampionatin e Maqedonisë së Veriut si kampion me Shkëndijen, ndërsa u aktivizua edhe në garat europiane me kuqezinjtë. Njoftimin për transferimin e mbrojtësit e shpërndau vetë klubi i Shkëndijes:

“Shkëndija dhe MOL Fehervar FC kanë arritur marrëveshje për transferimin e mbrojtësit Visar Musliu në rradhët e kampionëve të Hungarisë. 24 vjeçari do të firmosë kontratë me  MOL Fehervar FC, ndërsa hungarezët në llogari të Shkëndijës do të paguajnë dëmshpërblim për blerjen e kartonit të futbollistit një vit para skadimit të kontratës së tij me kuqezinjtë (30.06.2020).

Visar Musliu largohet nga Shkëndija pas një viti e gjysmë, periudhë gjatë së cilës fitoi 3 trofe me kuqezinjtë, 2 kampionate dhe 1 Kupë. Ai zhvilloi 62 paraqitje zyrtare me fanellën e Shkëndijës (43 kampionate, 7 në Kupë dhe 12 në Europë), duke shënuar 9 gola (6 në kampionat dhe 3 në Kupë).

Pas firmosjes me kuqezinjtë në shkurt të vitit 2018 Musliu shpejt u promovua si shtyllë e mbrojtjes, duke dhënë kontribut të madh në sukseset e skuadrës, ndërsa do të mbahet mend edhe për dy golat e tij në finalen e Kupës së Maqedonisë (2018) kundër Pelisterit të fituar 3:0 nga Shkëndija. Të gjithë në KF Shkëndija falënderojmë Visar Musliun për kontributin e dhënë në fanellën kuqezi, ndërsa i dëshirojmë gjithë të mirat dhe suksese në të ardhmen.