Kohë miqësoresh, Laçi pret Partizanin të shtunën

Partizani dhe Laçi do të luajnë pas dy ditësh një miqësore për të testuar skuadrat pak ditë para startit të Kategorisë Superiore. Të kuqtë kanë lënë pas ndeshjet e Kupave të Europës dhe tashmë janë fokusuar në përgatitjet për kampionatin, ndërkohë që në horizont për kryeqytetasit është edhe finalja e Superkupës së Shqipërisë përballë Kukësit, e programuar për t’u zhvilluar më datë 18 gusht.

Ndërkohë, nga ana tjetër edhe Laçi pasi ka lënë angazhimet në Ligën e Europës, ka zhvilluar disa ndeshje miqësore. Kurbinasit e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova kanë treguar paraqitje pozitive, ndërsa duket se janë gati për të nisur sezonin.

Në ndeshjen ndaj Turbiës, Laçi shënoi pesë gola, duke dominuar takimin. Tashmë, kurbinasit do të kenë të shtunën ndeshjen e radhës, teksa do të presin në stadiumin e tyre në orën 18:00, në një test të vërtetë force përballë kampionëve të Shqipërisë. /Egi Çabeli-VipSport.al/