Katër vite më parë shkëlqente në Europë me Kukësin, firmos si portieri i ri i Laçit

Dmitri Stazhilla është portieri që do të zëvendësojë Gentian Selmanin në katërkëndorin e Laçit. Portieri moldav, i cili ka pasur më parë një tjetër eksperiencë në kampionatin shqiptar me fanellën e Kukësit, sot ka nënshkruar për dy vite me klubin kurbinas, duke nisur punën nën urdhrat e trajnerit Sulejman Starova.

Gjiganti i katërkëndorit (2,04 metra) ka qenë pjesë e Kukësit në vitin 2015, duke iu bashkuar verilindorëve për disa muaj në huazim nga Sherif Tiraspol. Ai luajti në pjesën e dytë të atij sezoni ku Kukësi fitoi Kupën e Shqipërisë, ndërsa shkëlqeu në Ligën e Europës, ku verilindorët kaluan Torpedo Zhodino dhe Mlladost duke arritur deri në turin e tretë ku u eliminuan nga Legia e Varshavës. Më pas, ai u kthye në Moldavi e më pas në Rusi ku ka luajtur me Kuban Krasnodar dhe Mashuk.

Nevoja e kurbinasve për një portier me eksperiencë pas largimit të Selmanit bëri që ata të hidhnin sytë drejt Stazhillës 28-vjeçar, i cili pritet të jetë një garanci më shumë për Laçin që ka pretendime për trofe në këtë sezon. /vipsport.al/