Kategoria Superiore e gjitha në fushë, Tirana pretendente pret Luftëtarin

Pas ndeshjes hapëse ditën e djeshme mes Kukësit dhe Partizanit, ku triumfuan verilindorët me rezultatin 1-0, Kategoria Superiore do të vazhdojë ditën e sotme me katër ndeshjet e përcaktuara për të mbyllur kështu javën e parë të edicionit numër 81. Kështu, në stadiumin ‘Selman Stermasi’, Tirana do të presë Luftëtarin. Dy skuadrat vijnë në pozita të ndryshme, teksa bardheblutë janë treguar mjaft aktivë në merkato, duke afruar elementë të rëndësishëm dhe me eksperiencë, pasi në këtë sezon objektivi i të besuarve të trajnerit Ardian Mema është rikthimi te titulli kampion.

Sakaq, gjirokastritët kanë pësuar shumë ndryshime, duke filluar nga drejtuesit, te grupi i futbollistëve dhe në pankinë. Trajneri Klevis Dalipi është tërhequr vetëm para dy ditëve dhe tashmë në krye është emëruar Klodian Duro, me bluzinjtë që objektiv kanë mbijetesën. Ndërkohë në Korçë, Skënderbeu pret Flamurtarin. Bardhekuqtë tashmë të dënuar nga UEFA, do t’i japin udhë një kampionati ku nuk mund të kualifikohen në Europë, ndërsa nga ekipi janë larguar disa elementë. Në stol është rikthyer trajneri Ilir Daja, i cili do të mundohet të mbajë lart emrin e skuadrës. Nga ana tjetër, situata te vlonjatët nuk është më e mira e mundshme, teksa njihen problemet financiare te kuqezinjtë.

Në Durrës, Teuta do të presë Bylisin. ‘Djemtë e Detit’ pas një kampionati të mirë vitin e kaluar, nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi do të kërkojnë të përsërisin vetveten dhe të marrin sërish kualifikimin për në Europë. Ndërkaq, Bylisi rikthehet këtë sezon në elitë. Ekipi ballshiot ka një grup me elementë cilësorë dhe mund të jetë surpriza e këtij sezoni.

Sakaq, Superiores i është rikthyer edhe një emër i madh si Vllaznia. Shkodranët kanë pësuar ndryshime nga viti i kaluar, ndërsa tashmë janë nën udhëheqjen e trajnerit Mirsad Jonuz. Nga ana tjetër, Laçi i Sulejman Starovës është kthyer në një faktor të kampionatit dhe këtë sezon bardhezinjtë pretendojnë të shkojnë sa më lart në klasifikimin, teksa në mendjen e kurbinasve kalon edhe titulli kampion. /Egi Çabeli-VipSport.al/