Kastrati lë vetëm Uzunin te Lokomotiva, transferohet në Ligën e Parë franceze

Lirim Kastrati nuk do të jetë më pjesë e Lokomotivës së Zagrebit edhe për shumë kohë, duke qenë se mediat franceze raportojnë se është arritur akordi për transferimin e tij në Francë. Skuadra që e pret është ajo e Reims, skuadër me të cilën aktivizohet edhe Arbër Zeneli.

Kastrati është një futbollist i cili ka spikatur në kampionatin kroat me fanellën e Lokomotivës, ku me golat e tij ka bërë që Shaland ta grumbullojë edhe me ekipin e parë. Së bashku me Uzunin, Kastrati arriti të ndihmonte jo pak skuadrën e Lokomotivës këtë sezon, për të qenë në vendet e para në klasifikim.

Kastrati do t’i kushtojë Reimsit 1.5 milionë euro dhe pritet që orët në vijim të zyrtarizohet dhe të prezantohet me skuadrën e re. Sakaq, për Kastratin ishte i interesuar edhe Beshiktashi, por francezët kanë arritur të fitojnë duelin me ta. /Erjon Allaraj-vipSport.al/