Kastrati konfirmon interesimin nga Franca, por qëndron në Kroaci për pjesën e parë të sezonit

Futbollisti Lirim Kastrati ka pranuar se në zyrat e klubit të Lokomotivës së Zagrebit kanë mbërritur oferta për të, përfshirë edhe nga skuadra e Reims. Sulmuesi është një element i rëndësishëm në ekipin kroat, aty ku aktivizohen edhe shqiptarë të tjerë. 20-vjeçari është shprehur në KTV se beson se do të qëndrojë në Kroaci edhe për 6 muajt në vazhdim dhe më pas do të marrë në konsideratë mundësitë, ndërkohë që shprehet se për momentin është vetëm i fokusuar në kampionat te performancat me Lokomotivën.

“Ka oferta zyrtare në klub, përfshirë edhe Reimsin, por nuk është e vërtetë që brenda kësaj jave do të transferohem atje. Deri në fund të afatit kalimtar mund të ndodhë gjithçka, por unë besoj që do të jem pjesë e Lokomotivës edhe për të paktën 6 muaj e më pas do të shohim se çka do të ndodhë.

Menaxherët e mi merren me këto gjëra. Unë jam i fokusuar në kampionat ku po më ecën mjaft mirë deri më tani”, tha Kastrati. Nëse gjithçka mbyllet me sukses në muajt në vazhdim, atëherë Kastrati te Reims do t’i bashkohej shokut të tij te përfaqësuesja e Kosovës, Arbër Zenelit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/