Kapiteni i U19 bën hapin e madh në karrierë, firmos dhe debuton me klubin legjendar në Angli

Kapiteni i Shqipërisë U19, Rezart Rama ka bërë një hap të madh në karrierën e tij, duke qenë se është larguar nga Olimpiakosi dhe ka firmosur në kampionatin anglez. Ai do të jetë zyrtarisht pjesë e Notingham Forestit, skuadër me histori në futbollin anglez dhe atë Europian duke qenë se ka fituar edhe 2 Champions League.

Mbrojtësi i Kombëtares ka firmosur pak ditë më parë në Angli, ndërkohë që edhe ka debutuar me fanellën e re. Ai ishte pjesë e skuadrës së 23-vjeçarëve në takimin ndaj QPR-së, duke u aktivizuar në minutën e 65 të takimit.

Rama është vetëm 18 vjeç dhe shihet si një futbollist me perspektivë. Ai ka luajtur edhe me Shqipërinë U17 me të cilët ka zhvilluar 6 takime ndërkohë që tashmë është pjesë e U19. Natyrisht, Rama mund të aktivizohet me të rinjtë e Forest, por me paraqitje të mira mund të fitojë vend edhe në ekipin e parë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/