Kalimi i Nejmarit vështirësohet edhe më shumë, Kutinjo refuzon të përfshihet në operacion

“Telenovela” Nejmar duket se do të vazhdojë edhe për disa javë të tjera, duke qenë se Barcelona nuk është dorëzuar për të, ndërkohë që nga ana tjetër janë parisienët ata të cilët po bëjnë rezistencë. Pavarësisht dëshirës së Nejmarit për t’u larguar, palët ende nuk e kanë gjetur akordin për të.

Sakaq, Barcelona synon që të ofrojë një shumë të konsiderueshme dhe kartonin e Filipe Kutinjos, por duket se edhe këtu do të hasë në problem. Mesfushori brazilian i ardhur me bujë nga Liverpuli, nuk është pyetur nga klubi në lidhje me një kalim të mundshëm në Francë dhe duket se është kundër.

Mediat spanjolle raportojnë se Kutinjo nuk ka dëshirë të transferohet te PSG dhe e irriton më tepër fakti se drejtuesit nuk kanë biseduar me të, për t’i kërkuar një opinion në lidhje me kalimin në Paris. Përveç se për të bindur PSG-në, tashmë Barcelonës i duhet të bindë edhe Kutinjon për të kaluar në Francë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/